
Bullgaria nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj për bllokimin e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Ministri i ri i Jashtëm i Bullgarisë, Svetlan Stojev, në një konferencë për shtyp tha se pozicioni i tyre është dakordesuar në Parlament.
SVETLAN STOJEV
MINISTRI I RI I JASHTËM I BULLGARISË
Advertisement“Qëndrimi i Bullgarisë u pranua me konsensus midis të gjitha partive politike në parlamentin bullgar. Si qeveri e përkohshme, ne nuk kemi asnjë autorizim për ta ndryshuar atë.”
Kryediplomati bullgar theksoi se Sofja është e gatshme të vazdojë dialogun me Shkupin.
“Por unë mund t’ju siguroj se ajo çka varet nga kabineti i përkohshëm eshte vazhdimi i dialogut.Më tej gjithçka është në duart e zyrtarëve në Maqedoninë e Veriut. Ata e dinë shumë mirë pozicionin bullgar dhe nuk duhet të spekulojnë se do të ketë ndonjë ndryshim në dy ose tre muajt e ardhshëm.”
Qeveria e re, e udhëhequr nga Stefan Yanev ,do të drejtojë Bullgarinë deri në zgjedhjet e parakohshme të caktuara për 11 korrik.
Sofja kërkon që Shkupi të pranojë që kombi dhe gjuha e Maqedonisë së Veriut kanë rrënjë bullgare dhe dëshiron që ajo t’i japë fund retorikës anti-bullgare.
Por Maqedonia e Veriut thotë se identiteti dhe gjuha e saj nuk janë të hapura për diskutim.