
Platforma Albinfo përveç materialeve ditore online, vazhdon të botoj edhe revistën në versionin e shtypur me dy edicione: Revistë për shqiptarët në Zvicër dhe revistë për shqiptarët në Austri. Javë më pare është botuar versioni për Zvicër, ndërkohë nga dita e hënë doli nga shtypi edhe versioni për Austri.
Edhe ky numër i albinfo.at sjell para lexueseve tema të larmishme dhe interesante, por edhe lidhja e fortë dhe e pandashme e diasporës me vendlindjen tonë
Nisur nga kjo, ky numër i ri i revistës për titull kryesorë mban “Të gjitha rrugët na çojnë drejt vendlindjes”. Pavarësisht situatave të ndryshme, rrugëve të gjata dhe të mundimshme, mërgimtarët tanë nuk mund t’i ndal askush. Për ta ka vetëm një rrugë – rruga drejt vendlindjes.
Duke qenë se jemi në stinën e nxehtë dhe të turizmit verorë, në këtë numër mund të lexoni shkrime të ndryshme për turizmin në Shqipëri e Kosovë.
Për bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Austri, bregdeti shqiptar mbetet destinacioni më i preferuar edhe për këtë vit. Por, këtë bregdet tashmë po e “zbulojnë” edhe austriakët, ndonëse ndoshta në numër ende jo të madh. Rreth kësaj teme, kemi folur me mërgimtarë në Austri, austriakë dhe të nacionaliteteve tjera, por edhe agjenci udhëtimesh të cilët japin përshtypjet e tyre për turizmin bregdetar në Shqipëri.
Përveç turizmit të Shqipërisë, revista albinfo.at kësaj radhe ka përgatitur një mini-guidë të dhjetë vendeve -monumente që nuk duhet t’i humbisni në këtë verë pa i vizituar. Gazetarët tanë kanë biseduar me dy ciceronë turistik të cilët tregojnë në detaje arsyet pse duhet vizituar këto vende.
Një temë tjetër është edhe promovimi i Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare përmes alpinizmit. Kjo është një detyrë e çiftit Taulant Hoxha dhe Drenusha Canollit, të cilët janë ndër themeluesit e agjencisë për turizëm “Superxplorers”. Në një rrëfim për albinfo.at, ata tregojnë peripecitë, sfidat, vështirësitë por edhe anën e bukur të ecjes nëpër perlat e bukura të vendeve tona.

“Përse produktet shqiptare nuk gjenden në marketet austriake?” edhe kjo një temë tjetër që mund ta lexoni në numrin e ri të revistës. Në shumicën e marketeve në Austri gjenden rafte të posaçme me produkte ushqimore nga Ballkanit Perëndimor, si p.sh nga: Kroacia, Serbia, Mali i Zi etj, por jo edhe me ato nga viset shqiptare, e veçanërisht nga Kosova. Pse po ndodh kjo? Albinfo.at është përpjekur të gjejë përgjigjen
Por kjo nuk është e gjitha. Portrete interesante për shqiptarë të mirëintegruar për biznese të suksesshme, mund t’i gjeni edhe në kët numër të revistës.
Këtu veçojmë një portret me Dr.Haki Kryeziun. Ai është kryemjek (Oberarzt) i Kirurgjisë në Klinikat universitare (SALK) te Salzburgut që nga viti 2015. Në vitin 2022 Dr.Kryeziu ka hapur edhe ordinancën e tij private po në Salzburg. Aty kryen shërbime si mjek familjar dhe i kirurgjisë Viszerale. Gjatë bisedës për albinfo.at, Dr. Haki Kryeziu tregon për sfidat dhe sukseset në karrierën e tij, por edhe për operimin më të vështirë njëkohësisht më emociona që e ka pasur në karrierën e tij si mjek.
Një intervistë e gjatë por shpresojmë shumë e këndshme, është ajo me avokatin e njohur shqiptar në Vjenë, Mirsad Musliun. Avokati i cili thuajse cdo ditë “pushton” mediat austriake për sukseset e tij në mbrojtje të klientëve, për albinfo.at flet hapur për migrimin e tij në Austri, shkollimin dhe punën profesionale që ai e bën si një nga avokatët më të kërkuar në Austri. Po ashtu, ai tregon se si e ka mbrojtur, në dy raste në Vjenë, Republikën e Kosovës.
Nga sfera e politikës, në këtë numër sjellim portretin e zotëri Shefqet Balajt, i cili nga Strellci i Deçanit, tash e sa vite është asamblist në komunën e Hornit të Austrisë.
“Të angazhohemi sa më shumë në politikë dhe në të gjitha sferat. Kështu jemi të integruar, por jo të asimiluar”, thotë për albinfo.at, zotëri Shefqet Balaj – Sigi.
Për suksese dhe integrimin e shpejt dhe të mirë në Austri, kemi një portret tjetër me zonjushën Arbresha Talla. Ajo prej shtatë vitesh jeton në Vjenë, ndërsa aktualisht është drejtuese e “Startup Live Global”. Kompania “Vestbee” ka renditur Arbreshën në mesin e 32 grave më të suksesshme në Austri në ekosistemin e startup-ve.
Sigurisht se përveç këtyre materialeve të tjera, ju do të gjeni edhe shumë shkrime interesante dhe relaksuse duke filluar nga bizneset shqiptare, sporti, moda, fjalëkryeqe, horoskop e të tjera.
Revista albinfo.at mund të gjendet falas(gratis) në vendet ku frekuentojnë shqiptarët në Austri, si në: Ambasadën e Shqipërisë dhe të Kosovës, në shoqata, lokale afariste, hoteliere, etj. Po ashtu revista gjendet edhe në Aeroportin e Prishtinës si dhe në disa pika në qytete të ndryshme të Kosovës.
Albinfo.at mbetet e vetmja platformë mediale e shqiptarëve dhe për shqiptarët në Austri. E gjitha kjo, falë kompanive të shumta të shqiptarëve në Austri dhe Kosovë të cilë janë të vetmit që mbështesin këtë projekt medial.
Lexoni shqip në Austri, lexoni albinfo.at!
The post Doli numri i ri i revistës Albinfo.at për Austri appeared first on Albinfo.