
Gazeta më e madhe gjermane, “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ka thurur lavde në recensionin e saj për librin e Shkëlzen Gashit mbi krimet e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, transmeton albinfo.ch.
Në versionin e saj të shtypur, publiku në Gjermani sot do ta ketë në duar recensionin e librit “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, të shkruar nga autori Shkëlzen Gashi.
“Shkoni te Klintoni” titullohet recensioni që gazeta më e madhe gjermane, “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), i ka bërë librit të historianit Gashi, i cili ka rikonstruktuar me përpikëri masakrat e luftës në Kosovë.
Vetë autori Gashi ka shkruar në Facebook për botimin e recensionit, ku ka ndarë edhe pjesë të shkruara nga FAZ-i.
“…Shkëlzen Gashi, në librin e tij ‘Masakrat në Kosovë 1998–1999’, paraqet atë që ndodhi në vendlindjen e tij gjatë luftës. Puna e tij e hulumtuar me kujdes, e botuar në një vëllim tregjuhësh (shqip, serbisht dhe anglisht), është më shumë një vepër referimi sesa një rrëfim i njëtrajtshëm historik. Me saktësi të madhe, Gashi në 83 kapituj përshkruan po aq masakra sa ndodhën në Kosovë mes shkurtit 1998 dhe korrikut 1999… Gashi, i cili nuk heziton asnjëherë të sfidojë tendencat nacionaliste edhe në vendin e tij, punon me rigorozitet…”, shkruan gazeta gjermane.
Kujtojmë se në shtator të vitit 2024, publicisti Shkëlzen Gashi ka botuar librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, ku janë përfshirë 83 masakra të kryera nga forcat serbe kundër civilëve, kryesisht shqiptarë, nga data 28 shkurt 1998 deri më 23 korrik 1999. /Albinfo.ch
The post Gazeta gjermane publikon recension për librin e Shkelzen Gashit, “Masakrat në Kosovë 1998-1999” appeared first on Albinfo.