Një nga figurat më ikonike në fillim të shekullit të 20-të, Mustafa Qemal Ataturku mbahet mend si udhëheqësi, i cili doli nga hiri i Perandorisë Osmane, për të krijuar Turqinë, si një republikë sovrane.
Si president, kontributet e tij në zhvillimin e një Turqie moderne e laike ishin aq me ndikim, sa që edhe sot fyerja e kujtimit të tij, konsiderohet një krim, që është i dënueshëm me burgim.
Ataturku ishte shqiptar nga ana e babait, ndërsa e ëma sipas historianëve ishte turke. Kjo vërtetohet nga autorë bashkëkohës të tij, turq dhe të huaj. Si kryetar i shtetit, Ataturk mori një seri reformash të thella, që kërkonin të krijonin një shoqëri më laike, moderne dhe të stilit evropian.
Më të diskutueshme ishin reformat e tij fetare. Ataturku shërbeu si president i Turqisë për 15 vjet. Tre vjet para vdekjes së tij në vitin 1938, atij iu dha mbiemri i nderuar “Ataturk”, që do të thotë “Ati i turqve”.