
Ishulli Keswick është një parajsë natyrore që i përket shtetit të Queensland në Australi. Natyra pothuajse e paprekur nga më pak se 100 banorë te saj, ujërat e kaltra dhe balenat që shpesh herë duken në brigjet e saj e bëjnë atë një destinacion të bukur për dashamirësit e natyrës.
Por banorët e saj prej pothuajse një viti kanë shpallur një “luftë”, kundër një force që ato cilësojnë si “pushtuese”, dhe që për më shumë është kineze.
Në fakt, ishulli i është marrë shtetit australian me një qira 99-vjeçare, pothuajse pa bërë bujë mediatike dhe për një shifër të pazbuluar nga një kompani ndërtimi e quajtur China Boom. Kompania kineze në planet e saj ka modernizimin e infrastrukturës së ishullit dhe ndërtimin e strukturave të qëndrueshme dhe me impakt të vogël mjedisor, por sipas banorëve ata po sillen sikur ta kishin pushtuar ushtarakisht ishullin, dhe si t’i kishin vënë simbolikisht flamurin e Pekinit.
Për një turist është tashmë pothuajse e pamundur t’i drejtohet ishullit, sepse çdo lidhje ajrore dhe ujore është e ndaluar. Ndërkohë, banorëve i është ofruar blerja e banesave, duke ushtruar edhe forma të ndryshme presioni.
“Është e qartë që nuk na duan këtu, duan ta destinojnë ishullin vetëm për turizmin kinez”, denoncon një nga banorët.