
Ishte një kohë kur banorët e Parisit sodisnin përditë pamjen mbresëlënëse e një statuje gjigante me pamje femërore, që po ndërtohej përballë, tyre. Një statujë, ajo e Lirisë, që do shndërrohej në një nga simbolet e Shteteve të Bashkuara dhe gjithë Perëndimit.
Ka patur edhe një kohë kur përballë simbolit të kryeqytetit francez, kulla Eiffel, u ndërtua një monument që ekzaltonte arritjet e Rajhut të Tretë, dhe një tjetër ku francezët e tmerruar panë një tren të binte nga një pallat, mbi kokat e tyre.
Parisi ka një histori të larmishme, dhe në 150 vitet e fundit është dëshmuar edhe nga fotografi që kanë bërë historinë. Por pas sipërmarrjes të një 39-vjeçari të lindur pikërisht në qytetin e njohur, ato foto kanë marrë edhe më shumë jetë.
Jean- Marie Gillet i ka dhënë ngjyrë këtyre fotografive, duke na afruar edhe më shumë ndjesitë që provojmë duke i parë. “Shumë gjera kanë ndodhur në këtë qytet, që shpesh herë kanë ndikuar në historinë e Francës dhe gjithë botës”, thotë ai. Disa prej atyre ngjarjeve, janë tashmë të përjetësuara në një fotogaleri mbresëlënëse.