
Në Japoni, pranvera shpërthen me gjithë bukurinë e saj: lulet tradicionale të qershisë lulëzojnë në shumë pjesë të vendit, duke tërhequr vëmendjen e turistëve dhe shikuesve. Po ju sjellim fotografitë më të bukura të këtij spektakli natyror që rinovohet çdo vit dhe traditat që vërtiten rreth tij.
Lënë shtëpinë dhe mblidhen nën pemët e qershisë në lulëzim. Japonezët e quajnë Hanami: është zakon tradicional të admirosh lulëzimin e “sakura” (pemët e qershisë), një mënyrë për të shijuar bukurinë e pranverës, e cila çdo vit rikthen ngjyrat e saj pas një dimri gri. Ngjarja tërheq mijëra japonezë në qytetet ku lulëzimi shfaqet me gjithë lavdinë e tij. Njoftimi për fillimin e Hanami-t i besohet çdo viti agjencisë japoneze të meteorologjisë dhe dëgjohet me shumë vëmendje duke pasur parasysh se lulëzimi zgjat, në përgjithësi, rreth dy javë. Sakurat e parë që lulëzojnë janë zakonisht ato të ishujve subtropikalë të Okinawa, ato të fundit në ishullin verior të Hokkaido, ndërsa në shumicën e qyteteve të mëdha si Tokio, Kyoto dhe Osaka, lulëzimi ndodh midis fundit të marsit dhe fillimit të prillit. Transmetimet e lajmeve e ndjekin këtë nga jugu në veri me vëmendje të jashtëzakonshme. Gjatë fundjavës, mijëra njerëz mbushin parqet e Tokios dhe organizojnë piknikë me sushi nën hijen e pemëve të qershisë. Zakoni parashikon që çarçafët e mëdhenj blu të shtrihen nën pemët me lule, dhe që të qëndrohet nën hijen e tyre duke dëgjuar muzikë, duke biseduar dhe duke ngrënë. Lulja e qershisë është për japonezët simboli i bukurisë së përkohshme dhe të brishtë të vetë natyrës dhe ekzistencës. Hanami është një moment i mbledhjes së gëzueshme dhe në të njëjtën kohë, një festë e karakterizuar nga melankolia: lulet që bien në tokë pak pasi kanë çelur, janë një simbol i kalueshmërisë së ekzistencës. Në të njëjtën kohë, ato simbolizojnë rilindjen dhe ndjesinë e së resë që çdo pranverë sjell me vete. Tradita e Hanami-t i ka rrënjët në periudhën Heian (794–1185): para atëherë, ishte lulja e kumbullës, më e admiruara. Lulja e qershisë fillimisht konsiderohej një simbol i mbarë për korrjen e orizit; sot interpretohet si një shenjë prosperiteti ose fat i mirë. Kjo është arsyeja pse është e zakonshme të jepen degë të luleve të qershisë në dasma. Natën, soditja nuk ndalet. Vizitorët në parqe mund të admirojnë sakurat e ndriçuara nga dritat dhe fenerët, në një kohë që quhet Yozakura (Nata e pemës së qershisë). Festimet vazhdojnë deri natën vonë, megjithëse në më shumë se gjysmën e Japonisë, Hanami përkon me kthimin në punë ose shkollë, pas një pushimi. Në periudhën Hanami, sakura gjithashtu mbush dritaret e dyqaneve ushqimore, dhe gjenden në çajra, ëmbëlsira, pelte dhe reçel, si dhe stampohen në bluza për t’iu shitur turistëve, të cilët me këtë rast mbushin vendin. Për ata që janë të interesuar për një tur sakura, vendet ideale për të admiruar lulëzimin janë Parku Ueno Koen në Tokio, Parku Maruyama-koen në Kioto, Mali Yoshino në Nara (me mbi 30,000 pemë qershi) dhe Kalaja e Osakas. Edhe pse sakura më e përhapur në Japoni ka ngjyrë të bardhë, ka edhe varietete rozë. Tradita Hanami është gjithashtu e përhapur edhe jashtë kufijve të Japonisë, në vendet e tjera lindore si Tajvani, Koreja, Kina dhe Filipinet por edhe në Shtetet e Bashkuara dhe në pjesë të ndryshme të Evropës. Në Romë, Hanami festohet në pellgun e rrethit EUR, nën pemët e qershisë, të dhuruara në vitet 1950 nga qyteti i Tokios.