
“Mund të duket e çuditshme për disa njerëz të jetojnë mbi një varrezë, por ne jemi mësuar me këtë”, thotë Ana María Nieto, e cila jeton në qytetin-port Arica, në Kili.
Arica, në kufi me Perunë, është ndërtuar mbi dunat ranore të shkretëtirës Atakama, shkretëtira më e thatë në botë. Por shumë kohë përpara se qyteti të themelohej në shekullin e 16-të, kjo zonë ishte shtëpia e njerëzve Chinchorro. Kultura e kësaj popullsie u bë e njohur kur Organizata Kulturore e Kombeve të Bashkuara, UNESCO, shtoi qindra mumie në Listën e Trashëgimisë Botërore.
Mumiet Chinchorro u dokumentuan për herë të parë në vitin 1917 nga arkeologu gjerman Max Uhle, i cili kishte gjetur disa nga trupat e ruajtur në një plazh. Sipas studiuesve, mumiet ishin më shumë se 7000 vjet të vjetra – pra dy mijë vjet më të vjetra se mumiet egjiptiane.
Vendasit mësuan të jetonin përkrah – dhe shpesh mbi mbetjet e qindra mumieve të gjetura gjatë shekullit të kaluar. Popullsia në këtë vend është mësuar të zbulojë shpeshherë gjatë ndërtimeve apo në oborret e tyre mbetje antike njerëzore. “Ndonjëherë banorët na tregojnë histori se si fëmijët i përdornin kafkat për të luajtur futboll dhe i hiqnin veshjet nga mumiet, por tani ata dinë të raportojnë kur gjejnë diçka”, thotë arkeologia Janinna Campos Fuentes. .
Shoqata të ndryshme po përpiqen, sakaq, që të ruajnë çdo gjetje dhe t’i ekspozojnë ato në muze dhe ekspozita, për ta bërë këtë kulturë antike të njohur kudo në botë.