Pandemia e Covid-it ka pasur një ndikim të fortë jo vetëm në shëndetin tonë fizik, por edhe në shëndetin tonë mendor. Distancimi social, bllokimi dhe frika nga virusi kanë kontribuar në rritjen e ankthit dhe çrregullimeve psikologjike, veçanërisht tek adoleshentët.
Një studim i ri nga Universiteti Stanford, i botuar në Biological Psychiatry Global Open Science dhe i kryer me 163 djem, tregon se Covid mund të ketë modifikuar fizikisht trurin e më të rinjve, duke i shkaktuar plakjen e parakohshme të tyre.
Tek djemtë e përfshirë në studim, truri i të cilëve u fotografua nga një rezonancë magnetike para dhe pas pandemisë, këto procese u përshpejtuan. Deri më tani këto ndryshime të shpejta ishin gjetur vetëm tek djemtë që kishin pësuar dhunë në familje, të cilët kishin qenë tw braktisur, kishin jetuar në familje jofunksionale ose kishin probleme të tjera serioze.
“Ne nuk e dimë nëse këto ndryshime në strukturën e trurit janë të lidhura me ndryshimet në shëndetin mendor, apo edhe nëse ato janë të përhershme,” nënvizon Ian Gotlib, koordinator i studimit.
E sigurt është se, krahasuar me adoleshentët e analizuar para pandemisë, ata që u analizuan pas jo vetëm kishin probleme të rënda të shëndetit mendor, por kishin edhe ind kortikal më të hollë, një vëllim më të madh të hipokampusit dhe amigdalës dhe në përgjithësi, një moshë mendore më të avancuar.
“Vetë adoleshenca është një periudhë e riorganizimit të shpejtë të trurit, e shoqëruar me një rritje të problemeve të shëndetit mendor, depresionit dhe sjelljeve të rrezikshme”, thotë Jonas Miller, një nga autorët.
Hapi tjetër për të kuptuar nëse shenjat e lëna nga pandemia do të jenë të përhershme është vazhdimi i ndjekjes së grupit të të rinjve të analizuar në studim, duke u thelluar në këtë çështje dhe duke krahasuar strukturën e trurit të atyre që janë infektuar dhe atyre që nuk janë infektuar.