Mpiksja e gjakut në tru ose në mushkëri mund të jetë shkaku për disa simptoma të zakonshme të “Covid-it të gjatë”, duke përfshirë atë që është cilësuar si “mjegull e trurit” dhe lodhje.
Kjo sipas një studimi të bërë së fundmi në Mbretërinë e Bashkuar.
Nga 1837 njerëz të shtruar në spital për shkak të Covid, studiuesit thonë se dy proteina të gjakut tregojnë se mpiksjet janë një shkak.
Mendohet se 16% e pacientëve që kanë probleme të tilla, kanë probleme me të menduarit, përqendrimin ose kujtesën për të paktën gjashtë muaj.
Covid-i i gjatë mund të zhvillohet edhe pas infeksioneve më të lehta.
Por ekipi hulumtues nga universitetet e Oksfordit dhe Leicesterit, thekson: Gjetjet e tyre janë të rëndësishme vetëm për pacientët e shtruar në spital.
Nevojiten kërkime të mëtejshme përpara se të testohet ndonjë trajtim i mundshëm për pacientët me pasoja të zgjatura nga Covid-19.
Chris Brightling, profesor në Leicester tha: “Është një kombinim i shëndetit të dikujt përpara së të infektohej, vetë ngjarjes akute dhe asaj që ndodh më pas që çon në pasoja të shëndetit fizik dhe mendor”.
Pedagogu Simon Retford, kaloi dy javë në koma pasi u infektua me Covid në tetor 2020 dhe familja e tij priste më të keqen.
Tani, ai është kthyer 60-70% në gjendjen në të cilën ishte më parë, por ende ka probleme me përqendrimin dhe me humbjen e kujtesës afatshkurtër.