
Nga Viron Gjymshana
Sipas një legjende të njohur botërisht, gjigandi i mitologjisë greke, Herkuli, ishte i detyruar të përmbushte 12 sfida heroike për të rifituar mbêshtetjen e zotërve të Olimpit. Njëra nga këto ishte edhe dyluftimi i tij me Anteun, Gjithmonë sipas rrëfenjave të asaj kohe, Anteu ishte i pathyeshëm dhe i pamposhtur. Sa herë që dikush e mundte dhe e përplaste për tokë, Anteu ringrihej me një fuqi llahtarisëse. Arsyeja, sipas helenëve të lashtë, ishte se Anteu ishte biri i Gaeas, perëndeshës së Tokës dhe Poseidonit, zotërit të oqeaneve. Dhe sa herë që atë e përplasnin për tokë, e ëma e tij e ringrinte në këmbë dhe më të fuqishëm se më parë.
Por dikush duket se ia tregoi këtë sekret Herkulit. Dhe në dylyftimin me të, Herkuli e ngriti në ajër Anteun dhe e mbyti. Kështu tregojnë mitet e një kohe të lashtë.
Edhe në Shqipëri ishte krijuar prej kohësh miti i pathyeshmërisë së Berishës. Sa herë që njerëzit ankoheshin ndaj bëmave të tij dhe kërkonin dënimin e tij dilte gjithmonë ndokush që me një zë të rëndë dhe të plotë do të thoshte : “Saliun sa të jetë Amerika nuk e gjen dot gjë. Atë e mbron Uashingtoni”!
Dhe njerëzit largoheshin kokëulur dhe të trishtuar. Por edhe ky mit u thye 2 ditë më parë.
Sekretari amerikan i shtetit Anthony Blinken pasi e shpalli Berishën si të padëshiruar në SHBA e cilësoi atë si shpërdorues të postit dhe të demokracisë, si njeri që duke përdorur pushtetin personal pasuroi veten, familjen dhe aleatët e tij dhe si pengues i drejtësisë në Shqipëri.
Ishte një deklaratë që shpërtheu si një rrufe në qiell të kthjellët në mbarë shoqërinë shqiptare. Analistë, politologë, opinionbërës, gazetarë dhe sidomos njerëzit e thjeshtë po e “rrahin” çështjen nga të gjitha kahjet, për të kuptuar pasojat që mund të ketë në të ardhmen e vendit deklarata e zyrtarit të lartë të DASH-it.
Më së shumti nga të gjithë duket se u trondit vetë i akuzuari kryesor. Jo se ai nuk kishte dijeni se raportet e tij me Shtëpinë e Bardhë ishin ftohur prej kohësh. Se ai nuk ishte më i mirëpritur në Uashington. Por nga bërja publike e këtij qëndrimi nga ana e Shtëpisë së Bardhë.
Dhe për më shumë nga arsyet e këtij vendimi. Mesazhi i Blinkenit nuk mund të ishte më i qartë dhe më i fortë. Abuzues me pushtetin, përfitues, shpërdorues i demokracisë, pengues i drejtësisë në vend.
Ajo që ishte më e rëndë për Berishën ishte se ai humbi para opinionit publik dhe mbështetësve të tij atë që e bënte të dukej si i pathyeshëm, – mbështetjen amerikane! Si Anteu me Gaes-in.
Nuk kaluan veçse pak orë nga pasojat e kësaj stuhie dhe Sali Berisha reagoi ashtu siç di ai të bëjë më mirë. Siç ka bërë edhe gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit. Ai nuk pranoi asgjë dhe u hodh në sulm.
“Kam hedhur në gjyq sekretarin amerikan të shtetit, Blinken” – deklaroi ai gjatë një konference shtypi të organizuar me shpejtësi. Dhe u kujdes ta paraqiste këtë veprim si një çështje personale dhe vetjake ndërmjet dy personave ! Unë kam respekt të madh për Amerikën dhe miq të shumtë atje, – u shpreh ai, duke pohuar më pas se kishte edhe ndonjë armik si gjyshi 90 e ca vjeçar Xhorxh Soros, apo ish shefi i CIA-s, Xhorxh Tenet.
Pêrpjekje e dëshpëruar e një të mbyturi që kapet nga flokët e veta. Çdokush me pak mend në kokë e di dhe e kupton se Blinken nuk ka pse të ketë ndonjë gjë personale me ish presidentin dhe ish kryeministrin shqiptar.
Aq më shumë që zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit pohuan se vendime të një rëndësie të tillë nuk merren brenda një dite apo një muaji. Duhet që kupa të mbushet dhe të derdhet që aparati burokratik i çdo shteti të fillojê të lëvizë.
Por çfarë e bëri gotën të derdhet?! Ndofta thjesht nga veprimtaria destabilizuese dhe shkatërruese e Sali Berishës. Diplomatët amerikanë nê Shqipëri duket se ishin bindur prej kohësh që fijet prapa perdes i luante Berisha. Dhe se Basha ishte vetëm një marionetë e tij. SHBA dhe BE i pranuan zgjedhjet e 25 prillit si të rregullta dhe brenda normave shqiptare. Ndërkohë që pas një heshtjeje të gjatë, shkaktuar nga hutimi prej rezultateve të padëshiruara, PD-ja edhe një herë tjetër deklaroi se nuk e njeh rezultatin e tyre dhe kërkoi përsëritjen në 9 qarqe të vendit.!
E vetmja gjë që nuk parashikuan drejtuesit e SHQUP-it ishte interesimi dhe ndjeshmëria e lartë e Uashingtonit për stabilitetin e Shqipërisë. Zyrtarët amerikanë, sa në Tiranë aq edhe në Uashington, u shqetësuan nga këto deklarata dhe qëndrime të PD-së që nuk parashikonin asgjë të mirë për të ardhmen e këtij vendi të vogël në brigjet e Adriatikut.
Ky interesim dhe shqetësim nuk është i rastësishëm dhe as për herë të pare. Kjo sa për rëndësinê e stabilitetit në rajon, por edhe më shumë për ndjeshmërinë e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë së vogêl.
Ndjeshmëri dhe dashamirësi që e ka zanafillën pothuajse që kur u krijuar shteti amerikan deri nê ditët e sotme.
Nê botën diplomatike shqiptaro – amerikane ekziston një rrëfenjë se presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Uashington, u ka pasë lënë një letër pasuesve të tij në Shtëpinë e Bardhë që të mbajnë gjithmonë një sy edhe nga vendi i shqiptarëve. Por askush nuk di të thotë dhe spjegojë arsyet e kësaj letre. Rrëfenja vazhdon me pohimin nga ish presidenti amerikan,Bill Klinton në vitin 1999, se ai e ka lexuar këtë letër!
Por ajo që tingëllon e sigurt është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç dihet botërisht, e kanë ndihmuar dhe shpëtuar disa herë kombin shqiptar në rrugën e tij të trazuar të historisë. Është ndofta e tepërt të permendim këtu mbrojtësin e të drejtës së popujve për vetvendosje, presidentin amerikan Uillson, që e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi prej fqinjëve apo presidentin e nderuar dhe të dashur nga kombi shqiptar, Bill Klinton.
Pa folur këtu për ndihmën amerikane në rrëzimin e diktaturës komuniste me shpresën se edhe Shqipëria do të shndërrohej në një shtet të begatë dhe demokratik.
Tani është ministri i jashtëm i presidentit Biden, që po investohet sërish që Shqipëria të arrijë këtë objektiv.
Duke e drejtuar gishtin në përgjegjësin dhe shkaktarin kryesor të dështimit të këtij projekti.