minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Ku fillon dhe ku mbaron përdorimi për qëllime civile i dronëve?

0
Ku fillon dhe ku mbaron përdorimi për qëllime civile i dronëve?

Nga Adrian Haxhiaj

Në rajonin e Ballkanit dhe sidomos në Serbi e Shqipëri, ka pothuajse një vit që vërehen publikime, marketing dhe propagandim intensiv i aftësive të droneve për qëllime ushtarake dhe të sigurisë shtetërore. Bëhet fjalë për drone specifikë që prodhuar në Kinë dhe Turqi. Dhe nuk bëhet fjalë për drone të përdorimit civil, por për drone me kapacitet luftarak. Serbia është më specifike kur promovon dronet e tipit CH-92A Attack të prodhimit kinez si pjesë e arsenalit të saj ushtarak. Qëllimi është mëse i qartë. Shqipëria nga ana tjetër, si anëtare e NATO-s, falë edhe mardhënieve shumë të mira, i është drejtuar Turqisë.

Propaganda mediale dhe sukseset “spektakolare” të ushtrisë dhe policisë turke në eleminimin e terroristëve apo kapitullimi i trupave armene në konfliktin e fundit me Azerbaixhanin, me dronet e tipit Bayraktar TB-2 dhe modele të tjera më të vegjël, kanë ndikuar dukshëm që disa vende si Polonia, Ukraina, Shqipëria, Azerbaixhani, Katari, Libia etj., për të blerë këto sisteme fluturimi pa pilot. Shqipëria, raportohet që ka blerë edhe sisteme turke anti-drone, që mundësojnë detektimin dhe “çorientimin” e droneve duke ndërhyrë në sistemin e tyre të navigacionit. Jam i prirë ta pranoj se kjo blerje është bërë me aprovimin edhe të anëtarëve të tjerë të NATOs dhe sidomos me aprovimin e partnerit më strategjik të Shqipërisë, SHBA-në.

Çdo shtet e ka të domosdoshëm të përdorë të gjitha mjetet ligjore dhe ato teknike për të ruajtur integritetin dhe sigurinë e territorit të vëndit të tij. Është fakt pozitiv, që edhe Shqipëria me anëtarësimin në NATO e ka rishikuar prioritetin e sigurisë kombëtare.

Advertisement

Por, sidoqoftë, blerje armatimesh strategjike dhe të kushtueshme, siç janë edhe dronet turq për të cilët po deklarohet me krenari kohët e fundit, qëllimi i të cilave nuk është kompatibël me mundësitë teknike, ngrenë shumë pyetje të natyrës ligjore, të përdorimit të tyre, por edhe teknike dhe financiare.

Së pari, deklarimi që këto drone do të kontrollojnë territorin dhe sipas një deklarate zyrtare “”mundësinë e përdorimit të këtyre pajisjeve edhe në Shqipëri për qëllime civile e urbane të kontrollit dhe mbrojtjes së territorit”, është në kontraditë me blerësin dhe përdoruesin e droneve. Ato janë blerë në emër të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ndoshta e justifikueshme për një aprovim të shpejtë të buxhetit, por do të përdoren nga Ministria e Rendit. Nuk është e qartë nëse këto pajisje do t’i jepen me qera nga blerësi përdoruesit, apo është thjesht një zgjidhje “elegante” buxhetesh. Me siguri expertë të fushës së prokurimit publik do të thonë fjalën e tyre. Po ashtu nuk dihet se kush do ta ketë know-how-n dhe komandën e operimit të këtyre droneve.

Së dyti, deklarohet, që këto drone do të përdoren për mbledhjen e të dhënave në kohë reale mbi rrugët, bregetin, tokën bujqësore, rendin publik e shumë argumenta që me siguri janë ofruar nga shitësi turk gjatë bisedave dhe prezantimeve. Për shumë nga shërbimet e lartpëmendura, ka mjaftueshëm zgjidhje teknike më efikase dhe më pak të kushtueshme. Përfshi këtu kamera të sofistikuara që janë pjesë e shumë droneve për përdorim civil. Rendi publik, është një argument shumë i turbullt, pasi nuk është e qartë se kush do jetë kontributi në real time, siç pretendohet në rast të rrezikshmërisë që mund të ketë jeta e qytetarëve. Marrim një shëmbull të trumbetuar nga blerësi, që me këto drone të sofistikuara do të monitorohen aksidentet rrugore. Asnjë vend deri tani nuk i ka shkuar në mendje të monitorojë dhe parandalojë aksidentet rrugore me drone.

Advertisement

E aq më pak me drone luftarake. Ndoshta vetëm në situata lufte dhe terrorizmi, kur automjetet e keqbërësve eleminohen me një rraketë nga droni. Por dyshoj dhe shpresoj të mos ndodhë, që ky skenar të paraqitet në Shqipëri. Problemi aktual i trafikut rrugor në Shqipëri është efikasiteti i policisë rrugore dhe ai i qjyqësorit. Policia rrugore dhe ajo në përgjithësi mundë të përdorë drone për përdorim civil me rezultate shumë të mira në situata të veçanta.

Por nuk do të ketë ndonjë përmirësim në detyrat e saj për të paralanduar aksidentet dhe shkeljet e rregullave të kodit rrugor. Ndoshta dronet modernë të blerë nga Turqia do të mund të vëzhgojnë 24 orë papushim trafikun Shqiptar dhe mund edhe të fotografojnë targat, tipin e automjetit dhe vozitësit. Por se çfarë mund të bëhet me këto të dhëna në aspektin ligjor, kjo është një pikpyetje e madhe.

Ku do të mblidhen këto të dhëna dhe kush do t’i përdorë? Do të presim proçeset e para civile ku si material prove do të paraqiten filmime nga dronet e lartpërmendura. Ky shëmbull dhe mbledhja e shumë të dhënave të tjera do të jenë shumë shpejt tema debati nga juristë, shoqëria civile, partnerët ndërkombëtare dhe nga grupe të ndryshme interesi, përfshi edhe opozitën.

Së treti, çështje delikate është kapaciteti teknik i ekipeve shqiptare që do të operojnë këto drone. Ndoshta në fillim do të jenë specialistët turkë ata që do ta marrin këtë detyrë. Shpresoj që pala shqiptare të jetë konsultuar mirë edhe për këto shpenzime financiare dhe sekreti shtetëror.

Advertisement

Policia e shtetit e ka mëse të domosdoshme të fusë në flotën e saj edhe dronet. Por drone për përdorim civil, të përballueshëm financiarisht, të blerë me transparencë dhe tender publik dhe të përdorshëm nga forcat e policisë. Duhet të ketë një vizion dhe program të qartë se për cilat aspekte të sigurisë do të përdoren dronet. Nga kjo varet edhe vendim se cili dron është më i përshtatshëm për cilin operacion. Këtu futet edhe trainimi i veçantë e operatorit të droneve.

Vendimi për shfrytëzimin e të gjitha mundësive teknologjike për ruajtjen e sigurisë së qytetarëve dhe territorit të Republikës është i domosdoshëm dhe detyrë e çdo qeverie. Se çfarë teknologjie, me çfarë synimi, me çfarë kostosh dhe sa efikase është për atë qëllim që është blerë, kjo e dallon një qeveri transparente nga një qeveri që është vetë zot, vetë shkop.

Ka ardhur koha që për tematika të tilla të përmendura në këtë shkrim, që të krijohen ligjet dhe strukturat profesionale për këtë bërë sa më transparente këto lloj projektesh, kur bëhet fjalë për të mirën e gjithë popullit dhe është mëse e nevojshme që në këto debate të informohen me profesionalizëm dhe të përfshihet në debat edhe opinioni publik. Ashtu si në demokracitë funksionale.

Shënim: Autori është konsulent në fushën e Telekomunikacionit dhe Droneve

Advertisement

Anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës Shqiptare të Droneve Anëtar dhe bashkëpuntor i shoqatës së UAS në Gjermani UAVDACH (www.uavdach.org). Anëtar i shoqatës më të madhe në SHBA, AUVSI (www.auvsi.org)

Anëtar i shoqatës CIVATAGLOBAL e përshkushtuar në fushën e UAM(urban air mobility) https://www.civataglobal.org/

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit