
Nga Altin Ketro
Kur hartuesit e Kushtetutës së Shqipërisë parashikuan në të që roli i presidentit është ai i “përfaqësuesit të unitetit të popullit”, natyrisht që nuk e kishin menduar që do të kishim një ditë president si Ilir Meta. Nga ajo çfarë ai shfaq çdo ditë personalisht apo nëpërmjet këshilltarëve të tij nëpër rrjetet sociale, vetëm me përbashkues të popullit nuk kemi të bëjmë.
Janë plot dy vjet që presidenti Meta ka thyer çdo rekord negativ të një sjellje normale presidenciale në frymën e Kushtetutës, duke ia kaluar kështu edhe ish-presidentit Berisha. Sjelljet politike të këtij të fundit kanë qenë të njëanshme dhe thellësisht partizane në favor të partisë së tij. Por, duke qenë se Shqipëria sapo kishte dalë nga një regjim diktatorial, mungesa kaq e gjatë e një kulture demokratike, gjithsesi e justifikonte disi atë lloj sjellje.
Ama, sot, pas tri dekadash demokraci, në një botë të hapur e plot informacion, nuk mund të mbështetesh vetëm tek nenet e Kushtetutës për të qenë ai që duhet të jesh, por edhe tek një vetëdije personale që ta ndalon vetvetiu për t’i dhënë gojës pa frena kur gjykon për çështje që kanë të bëjnë me shumë se një palë politike.
Presidenti Meta nuk është thjesht një tifoz politik. Kjo do të ishte e keqja më e vogël. Ai është një protagonist kryesor për të qenë “violinë” e parë i opozitës. Në një luftë nervash me kryedemokratin Basha, për t’i rrëmbyer flamurin e shefit të opozitës, ai po e dhunon përditë atë Kushtetutë që përbetohet se është duke e “mbrojtur”.
Hartuesit e Kushtetutës sonë nuk i parashikuan kufizime të drejtpërdrejta qëndrimeve politike të presidentit. Ata vendosën thjesht një limit moshe, jo më pak se 40 vjeç, dhe u mjaftuan vetëm me shprehej: “përfaqësues i unitetit të popullit”. Por, marrë si shembull presidentin Meta, ai unitet të popullit konsideron vetëm unitetin brenda popullit opozitar.
Sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kemi kandidatë presidenciale mbi 70 vjeç. Edhe në shtetet e Bashkimit Evropian synohen kryesisht këto mosha, sepse të qenit president i republikës është detyra më e lartë shtetërore. Pas kësaj s’ke më asnjë mënyrë për t’u ngjitur më lart, përveçse për t’u bërë Mbret, siç thotë edhe kryeministri Rama.
Në historikun 30 vjeçar të demokracisë shqiptare, kemi pasur 7 presidentë të republikës. Nga këta, tre prej tyre (Alia, Meidani, Moisiu), në përfundim të detyrës, nuk iu kthyen politikës aktive, tre të tjerë (Berisha, Topi, Nishani) janë aktiv në politikë dhe, i fundit, Meta, padyshim që do t’i rikthehet jetës politike, qoftë tek LSI-ja, qoftë tek një parti e re e formuar prej tij.
Kjo dëshirë për të mos e konsideruar detyrën e presidentin, si funksionin e fundit të karrierës së tyre, duke qenë se janë ende të rinj në moshë për të dalë në “pension”, ndikon që në atë detyrë që kanë mbajtur të mos kenë qenë as objektivë, as gjakftohtë e as të baraslarguar prej palëve politike. Ose e kanë parë presidencën si një mënyrë për të konsoliduar të ardhmen e tyre në partinë nga kanë dalë, ose e kanë parë si një trampolinë për të krijuar parti të re politike.
Meqenëse sa herë kemi zgjedhur president këto 13 vitet e fundit, nuk po gjejmë një individ që prej moshës të mos ketë më ambicie të reja politike, atëherë lind nevoja për ndërhyrje të tjera ligjore me qëllim që të shmangim, sa të mundet, presidentë që përpiqen të bëjnë protagonistin e një krahu politik, në dëm të tjetrit.
Në kuadër të një nisme ligjore që mazhoranca socialiste ka ndërmarrë për të rregulluar me ligj detyrat dhe përgjegjësitë e presidentit të republikës, të shihet edhe mundësia që aty të parashikohen edhe disa kufizime për sa i përket asaj që ai do të bëjë pas përfundimit të mandatit.
Një mënyrë efikase gjykoj se është që të parashikohen këto kufizime:
Presidentit të Republikës, në përfundim të mandatit të tij, i ndalohet që, për një periudhë 5 vjeçare nga data e largimit nga detyra, të kandidojë, të zgjidhet apo të emërohet në këto funksione politike:
1. Kryetar partie politike si dhe në funksione të larta brenda saj (nënkryetar, sekretar i përgjithshëm, kryetar i asamblesë).
2. Kryetar bashkie
3. Deputet
4. Ministër
5. Zëvendëskryeministër
6. Kryeministër
Kjo ndërprerje 5 vjeçare nga jeta aktive politike, është një premisë për të pasur presidentë objektivë, pa pasione politike ndaj njërës a tjetrës parti, më të kthjellët në gjykim dhe sidomos pa atë dëshirën e fshehur për ta kthyer zyrën e presidentit në një seli të çetës së tyre të ardhshme politike.
Për të mos krijuar ndonjë keqkuptim se me këtë ide kam parasysh që t’u ndërpritet karriera politike presidentin Meta apo ndonjë tjetri përpara tij, ky parashikim ligjor, nëse ndodh, të hyjë në fuqi për presidentin e ardhshëm që pason në detyrë presidentin e zgjedhur në korrik 2017. Fakti që presidenti i ardhshëm është i ndërgjegjshëm për këto kufizime dhe pranon të kandidojë, nuk mund të konsiderohet më pas si një kufizim i lirive dhe të drejtave të tij politike.
Si përfundim, dua të theksoj se frymëzimi për të sjellë kufizime në të drejtat politike që pasojnë një president në detyrë, më erdhi pikërisht prej sjelljeve të presidentit Meta. Gjithnjë duhet një shkak për të bërë një ndryshim të nevojshëm ligjor i cili ndreq pasojën. Ky ndryshim tashmë është më se i domosdoshëm, për të mos pasur më presidentë si Ilir Meta!
TemA