minibus hire leeds minibus hire Scarborough local minibus hire lajmet e fundit national minibus hire struga lajm lajme ssl web hosting struga Ekspres Shqiperia

Pritshmëria zhgënjyese dhe pragmatizmi i Z. Lubonja

0
Pritshmëria zhgënjyese dhe pragmatizmi i Z. Lubonja

Nga Minella Aleksi

Një libër i ish kryehetuesit Qemal Lame rihapi këto ditë në shtyp një debat të nxitur nga Z. Fatos Lubonja mbi veprën e shkrimtarit Kadare.

Një debat që Z. Lubonja e ka nisur mbas rënies së sitemit komunist. Revista “Përpjekja” e botuar nën kujdesin e Z. Lubonja u bë nismëtare e një debati kundërvënës ndaj veprës së shkrimtarit Kadare. Disa bashkëpunëtorë të afërt të Z. Lubonja në këtë nismë u shkëputën prej tij në këtë angazhim kundërvënës ndaj veprës së shkrimtarit ngaqë me sa duket e kuptuan që baza e kësaj veprimtarie nuk përputhej me realitetin dhe interesin kombëtar shqiptar. Vazhduan ta ndjekin këtë linjë të Lubonjës përkthyesi Ardian Klosi dhe shkrimtari Kasëm Trebeshina. Duke qënë të pasuksesshëm, të pa realizuar në pritshmëritë e tyre letrare e konsideronin veten si “përfaqësues të brezit të vlerave të mohuara” në diktaturë. Pa produkt letrar për tu konsideruar vendosën që të ringrihen duke mohuar vlerat letrare të shkrimtarëve më të rëndësishëm të kohës nën diktaturë. Ky akomodim i doli jo keq publicistit Lubonja.

Fillimisht dolën me flamurin e rrëzimit të miteve kombëtare mbasi në komunizëm këta mite i shërbenin një propagande nacional-komuniste të sistemit diktatorial. Tani së fundi në emisionin në studin “Real Story” Z. Lubonja tregoi që e ka zbritur në sens zbutës teorinë rrënuese të miteve. Nuk kam gjë me Skëndërbeun, me Nënë Terezën u shpreh ai, nuk u kam rënë atyre por u kam rënë shqiptarëve sepse ne si shqiptarë kemi nevojë si shoqëri që të dekonstruktojmë butaforinë nacional komuniste që atyre ua konstruktoi nacional komunisti Enver Hoxha. Dhe duhet që t’i gjykojmë me mendjen tonë individualisht të pa influencuar as nga opinionet e të huajve dhe as nga lidershipi nacionalist i Edi Ramës. Për Z. Lubonja vepra letrare e shkrimtarit Kadare nuk meriton të vlerësohet sepse është e bazuar te ideologjia nacional komuniste e kohës kur është krijuar.

Advertisement

Mendoj dhe është thjeshtësisht e qartë që nacionalizmi në letërsinë shqipe nuk është ideologji nacionaliste e llojit të nacionalizmit agresiv që synon platforma raciste dhe pushtuese ndaj popujve të tjerë fqinj. Një popull kaq i vogël nuk ka këllqe që të mendojë apo të veprojë mbi baza doktrinare nacionaliste. Nacionalizmi si koncept etnik racor është tipar që çfaqet dhe dallon në popuj të mëdhenj me ekonomi të zhvilluara. Në rastin tonë kemi të bëjmë me një nevojë mbijetese si popull, për të rezistuar ndaj orekseve të sëmura nacionaliste të vendeve 2-3 herë më të mëdha sesa Shqipëria shumë e vogël që, si ai fëmija në të drejtën e tij për tu zhvilluar ka nevojë që të marrë me ushqimin e përditshëm edhe përmbushjen shpirtërore me tiparet kombëtare.

Vetë Z. Lubonja e dallon qartë këtë ndryshim midis nacionalizmës patriotikë shqiptare dhe asaj historike racore agresive të fqinjëve, qoftë në politikë ashtu edhe në fushën e letrave. Mirëpo për qëllimet e tij të caktuara e gjeti më oportune që ti mëshonte dhe të mbahej fort te nocioni i letërsisë që bazohet në ideologjinë nacionalist komuniste mbasi kultura europiane është aq e ndjeshme ndaj nacionalizmave famëkeqe sa porsa dëgjojnë fjalën nacionalizëm u fillojnë konvulsionet. Në këtë kontekst mendoj se ka vlerë që të bëhet pyetja: Cili shkrimtar apo poet i rëndësishëm grek, serb, maqedonas, malazez nuk ka shfrytëzuar, nuk i ka pasur si inspiruese situata të ndryshme historike kombëtare mbi të cilat të ketë mbështetur një krijim artistik letrar qoftë edhe duke iu referuar miteve apo shpirtit kombëtarist (nacionalist) të popullit të vet?!! Këto elemente i gjejmë te krijimtaria edhe e nobelistëve qoftë serb dhe qoftë grek. Shkrimtarëve fqinje u lejohet të qënit nacionalist – patriot, madje po të jesh shkrimtar grek, serb, malazes, bullgar, rumun, etj, u quhet dhe meritë, ndërsa shqiptar –jo, në asnjë mënyrë.

Popujt e Ballkani të ngërthyer në raporte të shumëfishta me njëri tjetrin e kanë pasur dhe e kanë historinë e tyre të mbarsur me kaq shumë ngjarje humane dhe antihumane saqë nuk mund të mos shërbejë ky realitet si lëndë e parë krijimtarie artistike për shkrimtarët dhe poetët përkatës. Edhe tani që lexohemi po përjetojmë konflikte nacionaliste luftënxitëse aktuale në Ballkan. Sesa larg ka qënë kultura shqiptare ndaj shprehjeve të ambicieve nacionaliste ndaj fqinjëve edhe në kohën e komuniszmit këtë Z. Lubonja e di po aq mirë sa edhe ne të tjerët. Me të drejtë bëhet pyetja, përse ky qëndrim i përmbysur i tij? Mendoj se shpjegimi përmban dy aspekte. Së pari, nga sa thotë Z. Lubonja lidhur me shkrimet e tij të mbajtura të fshehura në sirtar në moshë rinore, duket qartë që ka aspiruar dhe është ushqyer në familje e në rrethin e tij shoqëror me pritshmërinë e talentit për tu bërë një shkrimtar i madh.

Mendoj se edhe mund ta marrim të mirëqënë këtë alibi të shkrimeve të fshehura në sirtar por është për të ardhur keq që mbas viteve 90të nuk ua dha lexuesve këtë mundësi njohjeje të shkrimeve të tija antidiktaturë. Në këtë rast zhgënjimi nga mungesa e talentit ka luajtur rolin e vet frustrues si me ata fëmijët që, kërkojnë të bëjnë më shumë nga sa trupi i tyre mund të mbajë. Apo si thotë populli me (talentin) trupin sa të pulës kërkon ta bëjë vezën sa të patës.

Advertisement

Z. Lubonja nuk përmbush kushtet për tu konsideruar si një Salier mbasi nuk është shkrimtar.

Natyrisht që ndiej keqardhje për vuajtjet e tij në diktaturë dhe e vlerësoj librin e tij “Ridënimi”. Çuditërisht Z. Lubonja nuk ka thënë asnjëherë ndonjë shpjegim argumentues për dënimin e tij të parë. Deri në atë kohë nuk ka pasur ndonjë gjë të botuar ( shkrimet në sirtar ??) prandaj kjo heshtje e tij për dënimin dëshmon qartë se deri në atë kohë ai thjeshtë ka gëzuar të mirat e Bllokut si shumë shoqe dhe shokë të tjerë të tijtë. Rënia e të atit në burg sipas logjikës së Partisë ndoqi po këtë logjikë për persekutimin e rënien në burg edhe të pjesëtarve të tjerë të familjes. Mendoj se në kontekst personal për Z. Lubonja pritëshmëria e madhe e parealizuar për tu bërë shkrimtar i madh, përzier dhe me akumulime të tjera të karakterit social psikologjik i ka shkaktuar frustrim po aq të madh. Gjë që psikologjikisht e futi në një negativizëm permanent.

Sjellja frustruese e Z. Lubonja më sjell parasysh personazhin e Marjanës te novela “Nata me hënë” të shkrimtarit Kadare. Marjana me vetpërmbajtjen e saj krenare, me shijet e saj estetike mjaft të kultivuara dhe sidomos, ah lëre lëre, pale kur e shihnin që kish veshur pardesynë e bardhë ua “plaste shpirtin” ua “ngrinte cmirën” në kupë të qiellit shoqeve të saj të ndërmarrjes. Si i patalentuar, Z. Lubonja cmira ia ka plasur shpirtin njëlloj si shoqeve të Marjanës te “Nata me hënë”. Në diskutime mes miqsh unë e mbështes mendimin se ne lexuesit shqiptarë e adhuruam menjëherë letërsinë e Kadaresë sepse aty gjetëm veten, u gjëndëm para pasqyrës së personazhe të tij me të gjitha virtytet dhe veset tona.

Mendoj se Z. Lubonja është një njohës shumë i mirë i veprës letrare të shkrimtarit Kadare por jeta e imponoi drejt konceptit pragmatist. Për atë s’ka rëndësi sesa e vërteta korespondon me faktin. Rëndësi ka që domethënia dhe e vërteta e koncepteve të përcaktohet nga pasojat në praktikën e përditëshme.

Advertisement

Unë mendoj se në kontekstin nën të cilin Z. Lubonja e konsideron nacionalizmin në veprën e shkrimtarëve më të rëndësishëm shqiptarë, në letrat shqipe gjen shumë më tepër nacionalizëm patriotik, shumë më fuqishëm dhe ndonjë herë të egzagjeruar në veprën e atij që e quajmë poeti kombëtar Gjergj Fishta. Por është e qartë që Z. Lubonja nuk e shqetëson fenomeni, anëshmëria negative është e tëra mbi shkrimtarin tjetër të rëndësishëm kombëtar.

Vepra letrare e Fishtës nga vitet 20të deri në vitet 65së të shek 19të njihej përmendësh nga shumë shqiptarë të brezit të prindërve të Z. Lubonja. Dhe që natyrisht me siguri para burgut dhe veçanërisht në burg, pa çensurë, ka dëgjuar dhe lexuar shumë opinione në lidhje me veprën e tij të përkthyer në 2-3 gjuhë kryesore europiane. Duke pasur edhe opinionet e tyre dhe duke qënë lehtësisht më e arritëshme për tu realizuar do ia sugjeroja që ndoshta do i vlente më shumë që të fillonte me dekonstruktimin e mitit nacionalist në veprën e At Gjergj Fishtës e ndoshta edhe të mitit të atij vetë, mbasi i ka manipuluar fuqimisht mendjet e shqiptarve me nacionalizëm racist antishkja duke mos i lënë që të gjenerojnë arsyetimin e tyre individualisht për historinë.

Ndoshta fillimisht mund të ketë reagime të ashpra nga lexuesit por tani ka mundësinë e shprehjes në liri dhe të lëvizjes së lirë e për ca kohë mund të largohet drejt Italisë. Pas fitimit të kësaj eksperience të suksesshme, e domosdoshme për të goditur një shkrimtar më të sofistikuar se Fishta do e kishte më të lehtë suksesin në dekonstruktimin e veprës “nacional komuniste” të shkrimtarit Kadare. Më habit se çfarë e ka frenuar që nuk e ka bërë deri më tani. Mendoj se është vlerësim realist ai i bërë në bisedën e “Real Story” që vepra e shkrimtarit Kadare ka jetën e saj të pavarur nga autori.

(TemA)

Advertisement

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 StrugaLajme.com | Privacy policy

Struga Lajme | Lajmet nga Kosova | Lajmet e fundit