
Nga Hamdi Jupe
Është koha kur ëndërrohen dhe priten ftesat për në listat shumemërore të deputetëve të rinj të Kuvendit. Kjo të kujton një episod të romanit të Agollit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”.
Zyloja priste një ftesë për në mbledhjen solemne të Festës Jubilare, po ajo nuk po i vinte e nuk po i vinte. Për t’u justifikuar për mungesën e saj, Zylo u thoshte të tjerëve se ftesa duhet të ishte ngatërruar nëpër zyrat e postës, por ja që përfundimisht ftesë nuk pati. Agolli nuk është më, por Zyloja shëtit nëpër Tiranë, edhe pse me maskën anti – COVID në fytyrë. “Mledhja Jubillare” këtu janë zgjedhjet e reja.
Ka një situatë gati – gati komike të atyre që ëndërrojnë dhe presin t’u vijë ftesa për të qenë në krye të listave për deputetë. Këta janë kryetarë të partive të vogla “aleate”, që emrin kanë parti, se vetëm nga një qerre anëtarë u ka mbetur mbrapa. Prej vitesh nuk organizojnë dot një mbledhje të gjerë, një asamble a një aktivitet kombëtar të partisë. Hall tani, se nuk i lë qeveria të mblidhen bashkë më shumë se dhjetë vetë (siç ankohet zoti Mediu) por nuk e kanë bërë një gjë të tillë as qëmoti, kur nuk kishte pandemi.
Janë në telash se të vetëm nuk e çajnë dot detin më këmbë për të marrë votat e popullit. Ata dorëzuan mandatet (e dhuruara nga PD) para kohe me thirrjen e partisë “mëmë” dhe dëmi financiar prej kësaj ishte hiç – hiç, aty te gjashtë milionë lekë (të reja) për kokë, duke llogaritur këtu rroga, dieta, karburante, komisione, telefona etj. Kush dëshiron t’u thotë “jo” atyre tani që do zgjidhet Kuvendi i ri? Larg qoftë, prandaj ata presin e presin.
Liderët (e vjetër) të partive të opozitës, aleatë të Partisë Demokratike, dikur mblidheshin çdo javë te selia blu, qoftë edhe për një kafe e për muhabet, por ka kohë që nuk po duken më atje, ose duken rrallë. Nuk ka as mbledhje, as kafe, as konferenca shtypi, as deklarata të përbashkëta. Kjo rrit nervozizmin dhe prandaj ata hidhen në deklarata kërcënuese: “Do bëjmë këtë e atë, nëse nuk marrim përgjigje!” Vendosen edhe ultimatume se deri kur do ta durojnë këtë mosthirrje nga ana e PD-se. Ultimatumi i fundit ishte për 31 dhjetorin e vitit që fluturoi. Ata nuk duan t’ia dinë se ka halle e halle kjo botë dhe prandaj nuk vjen ftesa publike për kualicion. Sidoqoftë ata presin, sespe nuk kanë ç’punë tjetër të bëjnë.
Ja, të marrim LSI-në që mori 17 mandate në zgjedhjet e fundit. Si do t’i marrë prapë ajo tani kaq rroga deputetësh? Ajo mendon se mundet, duke hyrë në zgjedhje me listë të përbashkët me PD-në. Mirëpo në këtë rast ajo do të kërkonte të paktën 1 vend në tre koka deputetësh në listën e përbashkët, se do marrë për bazë zgjedhjet e kaluara. Madje tani thotë se e vetme merr hiç – hiç, dyzetë deputetë. Atëherë çfarë i mbetet PD-së? Jo, kjo nuk do të ndodhë më, këtë e ka kuptuar zoti Basha dhe të tijtë. Nuk bëhet më ajo shaka e katër viteve më parë, harroje. LSI-së po i largohen të gjithë, edhe të sajtë, sikur atje të kishte plasur COViD-i. Megjithatë, ajo pret e pret, mbase i bien hallatet dashit në ndonjë kthesë. “Përndryshe, ne do bëjmë hatanë, do dalim më vete!”
Janë, nga ana tjetër, deputetët “rrebelë” të Kuvendit të sotëm që hynë atje ashtu siç hynë, duke tradhtuar partinë dhe ua ka ënda të jenë prapë ligjvënës, pse jo, mendojnë ata. Oreksi vjen duke ngrënë dhe ata kanë ngrënë mire këto dy vjet e gjysmë qysh se janë deputetë. Kostumet dhe kollarot i kanë akoma të reja fringo dhe nuk dëshirojnë që ato të myken në garderobën e shtëpisë. Edhe ata i mbajnë veshët ngrehur se mos vjen ndonjë ftesë nga ish – partia e tyre e tradhtuar, prandaj e ngrejnë gjithnjë e më tepër zërin e “opozitarizmit pa kufi” në Kuvend, për të shpëlarë mëkatin e tradhtisë. Domethënë, na shihni edhe ne, “lefterët”, sepse nuk e kemi ngrënë badihava.
Ka ndërkohë analistë të (pa) varur të shtypit, që mëtojnë të fitojnë dashurinë e kryetarit të partisë (hartues i listës) për të patur edhe ata, pse jo, një vend të krye të shumemërores. Kanë kohë që e presin atë, ndoshta që nga zgjedhjet e shkuara, kur u harruan (në çastin e fundit) të përfshihen në listë. Këta janë të gatshëm ta varin pavarësinë e tyre në gozhdën më të parë të partisë. (“Çdo gjë që varet, do të bjerë”- thoshte shoku Zylo) Mjafton që kjo të jetë frytdhënëse, prandaj kanë rritur tonet e “opozitarizmit të pavarur”.
Ka syresh që nuk dinë akoma se çfarë ane të marrin, (në këtë stinë të keqe, jo vetëm pandemike) sepse janë bërë lëmsh partitë në pazarin e politikës, (përfshi këtu edhe këto të rejat, fringo fare) dhe kështu, është me rrezik të nxitohesh. Ka dalë një problem i ri, i paparashikuar, që ka trazuar ujërat e ëndërrimtarëve për deputetë, sepse kryetarja e partisë së re opozitare, zonja Topalli, u ka bërë thirrje të tërëve (përjashto Ramën, Lulin dhe Monën) që të mblidhen te partia e saj me thirrjen: “Eja, mblidhuni këtu, këtu, me ne!” Vetëm Topalli nuk pret ftesa nga të tjerët, ajo u çon ftesa atyre. Prandaj nuk është keq të hudhet një si edhe andej, sepse mund të ketë rezultate. Ata e dine tani (ka shembuj) se tradhtarët e partisë opozitare mund të gdhihen një ditë anëtarë të qeverisë me karrige zëvendësministrash e më gjerë, sidomos kur shikojnë se partia e tyre blu I lë me lugën bosh. Zoti e ka dhënë edhe tradhtinë. Kjo e çorodit së tepërmi atmosferën edhe ashtu të trazuar në fillim të fushatës zgjedhore.
Në këto rrethana aleatët e PD-së bëjnë plane (me fjalë, natyrisht) se do të dalin më vete në zgjedhje dhe atëherë ka për ta parë PD-ja se çfarë kanë për t’i punuar ata, aleatët, nëse nuk do të jenë në krye të listave të saj etj. Gon Duka thotë se ai i vetëm nuk e ka problem t’i mbledhë nëntë mijë vota në Durrës, por prapë nuk heq dorë nga ëndrra për një ulëse deputeti nga radhët e PD-së. Dhe ia arriti. Mona e vetme i ka në xhep 40 deputetë, por prapë nuk e heq mendjen nga Luli. Dashi është më modest në objektivat e tij, vetëm se ai e thotë hapur që nuk do që t’ia shohë bojën LSI-së. Kështu vazhdon odiseja e pritjes së një ftese për në listën shumemërore të Kuvendit të ardhshëm. Ëndra e shokut Zylo për një ftesë për Mbledhjen Jubilare nuk ishte asgjë para kësaj të kryetarëve të partive të opozitës për një karrige kuvendore.
Basha nuk ka dhënë shenja se mund të hapë “thesin” e mandateve për të tjerët në zgjedhjet që po vijnë. Le të presin ata. Ka shumë arsye për këtë. A nuk u përjashtuan nga listat shumë emra të njohur të partisë që sakrifikuan mandatet prej “komisionit të pastrimit?” Është hera e dytë që ai shkon si kryetar në zgjedhje dhe një humbje e dytë, (mos o zot!) pas asaj të 2017-së, do të ishte katastrofë për të. Në një rast të tillë, “lamtumirë ” parti!
Nga do t’i marrë votat psh, partia e Topallit? Kuptohet që nga elektorati i PD-së. Një kokëçarje e madhe kjo, prandaj nuk duhet shpërdoruar asnjë votë duke darovitur të tjerët, se është me belà. Është një betejë për jetë a vdekje. Kjo frikë e shtyn të bjerë në gabime të tilla foshnjarake kur deklaron: “Një parti nuk duhet të rrijë më shumë se dy mandate në pushtet” e gjëra të tjera të tilla, (do bëhen arrat, se më hahen mua) të papara e dëgjuara në asnjë vend të botës demokratike.
Nga zgjedhjet e kaluara Basha duhet të ketë mësuar se koalicionet kanë telashe, se 240 mijë vota që humbi PD në ato zgjedhje, i mori LSI. Votuesit janë “rrufjanë”: kur nuk ke identitet të qartë politik, ata “ngatërrojnë” partitë. Ç‘bëri Mona, ç’bëri Luli, derdhet gjalpi, bie në lakra. Në fund të fundit, LSI nuk të lë pa ngjyer gishtin kur vjen në pushtet. Kjo tashmë është e qartë për të gjithë. Në këto rrethana, partitë aleate rrezikohen të mbeten me gisht në gojë, duke pritur te porta e PD-së.
Te mazhoranca nuk duket ende ndonjë Zylo që të presë ftesën për në “Mbledhjen e Madhe Jubilare”. Nuk duket, por kjo nuk do të thotë se nuk ka. Atje nuk ka ultimatume, as ëndërrime, ka bindje të plotë ndaj kryetarit të pagabueshëm…. Ia kanë lënë në dorë atij “të vrasë e të presë” e t’i zgjidhë vetë ato punët e listave me “bon – sensin” e tij, si parti “e hapur” që janë. Ata do ta mësojnë listën vetëm kur ta afishojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mur dhe atëherë … puthu me Milon. Po s’ka gjë, të na rrojë partia. Ata e kanë dorëzuar kokën në “tepsi të argjendtë” te kryetari.
Mazhoranca vështron e qetë në krahun tjetër dhe fërkon duart: me këtë opozitë, jo tre, por trembëdhjetë mandate qeverisëse mund të marrim. E tha së fundmi edhe zonja Topalli!