Policia e Kosovës arrestoi të martën mbrëma, Dardan Molliqajn, kryetar i Partisë Socialdemokrate, një parti opozitare jo parlamentare, nën dyshimin për “sulm ndaj personit zyrtar”.
Sipas policisë ngjarja ka ndodhur me 29 janar, gjatë një proteste të organizuar nga kjo parti kundër propozimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Gjatë protestës pati përplasje me policinë, e cila dyshon se zoti Molliqaj goditi njërin nga pjesëtarët e saj.
Policia e arrestoi zotin Molliqaj në oborrin e studios së televizionit T7, ku ishte ftuar në një debat.
Policia tha se e kishte kërkuar zotin Molliqaj në adresat e banimit dhe “nuk e kishte hasur” ndërsa shtoi se “i kishte lënë edhe një ftesë për paraqitje vullnetare por i dyshuari nuk e kishte përfillur”.