
Koalicioni qeverisës i Serbisë ka filluar bisedimet për të formuar një qeveri të re pasi kryeministri Millosh Vuçeviç dha dorëheqjen pas përshkallëzimit të protestave për aksidentin tragjik në stacionin e trenit në Novi Sad që vrau 15 persona.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka lënë të hapur mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në prill.
Vuçiç ka 30 ditë për të emëruar kryeministrin e ri, në të kundërtën vendi do të shkojë në zgjedhje.
Të martën ai tha se do të vendoste për rreth 10 ditë.
Pavarësisht se ka propozime për emërimin e një qeverie ekspertësh për të zbutur krizën në Serbi, Aleksandër Vuçiç nuk duket i gatshëm t’i pranojë ato.
Partitë opozitare hedhin poshtë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, duke kundërshtuar formimin e një qeverie të re.
Protestat kanë tronditur presidentin serb, i cili qëndron në pushtet prej njëmbëdhjetë vjetësh (në 2014 u zgjodh kryeministër dhe në 2017 president i Serbisë).
Shembja e çatisë së sapo rinovuar të stacionit të trenit në Novi Sad, e cila ngriti dyshime për keqmenaxhimim të projektit, ka rindezur akuzat se Vuçiç dhe partia e tij, Partia Progresive Serbe (SNS), janë të përfshirë në korrupsion.
Si Vuçiç ashtu edhe SNS i mohojnë të gjitha këto akuza.
Protestat nisën në Novi Sad në nëntor, një ditë pas aksidentit fatal, por janë përhapur në pjesën tjetër të Serbisë dhe kryeqytetin, Beograd, me studentët që drejtojnë protestat.
Qindra njerëz dolën sërish në rrugë të mërkurën, duke mbajtur pankarta ku shkruhej “Guxo të ngrihesh” dhe “Mbështe studentët”.
Ata janë zotuar se do të vazhdojnë protestat deri në përmbushjen e kërkesave të tyre: ngritjen e kallëzimeve penale kundër përgjegjësve për Novi Sadin dhe përfundimin e ndjekjes penale të studentëve të arrestuar gjatë protestave.