
Kosova konfirmon dy raste të reja të variantit të koronavirusit Delta.
Ministria e Shëndetësisë së Kosovës bën me dije se 22 mostrat e dyshimta ishin dërguar për identifikim në Berlin, e ku 2 prej tyre dolën pozitive me variantin e ri.
“Sot kemi pranuar të dhënat nga 22 mostrat pozitive të dërguara në Institutin e Virologjisë të Klinikës Unversitare Charite në Berlin, prej të cilave janë identifikuar 2 (dy) mostra me variantin Delta (B.1.617.2) të SARS-CoV-2. Të dy rastet kanë shfaqur simptoma, mirëpo tashmë janë shëruar dhe gjenden në shtëpi. Izolimi i tyre ka përfunduar. Ekipet e IKSHPK-së tashmë kanë gjurmuar të gjitha burimet dhe kontaktet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve.”
Autoritetet këshillojnë se masat parandaluese për përhapjen e këtij varianti janë të njëjta.
“Individët të cilët rezultojnë pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do të mundësohet ndërprerja e përhapjes së infeksionit. IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19 dhe zbatimin e masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës.”