
Përfaqësuesit specialë për dialogun, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, përmbyllën takimet në Prishtinë duke theksuar rolin e tyre mbështetës dhe jo imponues për procesin e dialogut.
Në një konferencë për shtyp, dy diplomatët e lartë deklaruan se Kosova dhe Serbia janë palë të barabarta në dialog, iu takon atyre të marrin vendime për marrëdhëniet që duan të kenë, por gjithashtu duhet të përmbushin zotimet e ndërmarra.
MIROSLAV LAJÇAK
I DERGUAR I BE PER DIALOGUN
“E kaluara duhet të lihet pas, ne e shohim dialogun si prioritet kyç në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe vërtet besojmë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë jo vetëm do të zgjidhë çështjet e mbetura pezull por po ashtu do të kontribuojë në stabilitetin në rajon dhe do të sjellë përfitime shumë konkrete për qytetarët të cilët janë të lodhur nga kjo status quo. Për më tepër, besoj se çdo udhëheqës i zgjedhur ia ka borxh këtë qytetarëve. “
Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian nënvizoi se parimet e Kosovës në dialog nuk do të preken, ndërsa u shpreh optimist për më shumë progres gjatë këtij viti.
“E kemi bërë shumë të qartë në deklaratat tona se ne respektojmë plotësisht parimet e Kosovës në dialog, integriteti, rendi kushtetues dhe funksionaliteti. Ne po ashtu kemi thënë se bashkësia ndërkombëtare ka pritur progres më të shpejtë në dialog në vitin 2021 dhe shpresojmë se do të jetë kështu këtë vit.”
I pyetur për lëvizjen e lirë dhe asociacionin në veçanti, Miroslav Lajçak deklaroi se çështja e vizave, kërkon marrëveshje konsensuale të 27 vendeve anëtare ndërsa asociacioni është në listën e premtimeve të dhëna.
“Kosova është palë e barabartë në dialog, ka 50 % të së drejtës së fjalës që do të thotë se asgjë nuk mund ti imponohet Kosovës pa dakordësinë e saj. Dëgjoj shpesh këtë shprehjen se nuk duam një republikë të dytë serbe, ka një parim universal, ato që janë dakordësuar duhet të zbatohen, është një listë e gjërave që mbetet të bëhen, mes tyre është edhe asociacioni. Mos u frikësoni nga diçka që nuk ekziston dhe nuk ka asnjë arsye që të frikësoheni nga një proces ku ju jeni palë e barabartë. ”
Ndërkohë për këtë çështje, i dërguari i Uashingtonit mbështeti idenë që të aplikohet një model i pranuar nga të dyja palët. Gabriel Escobar gjithashtu deklaroi se pavarësia e Kosovës nuk ka sesi të vihet në diskutim.
GABRIEL ESCOBAR
I DERGUAR I SHBA PER DIALOGUN“Kjo administratë e mbështet fuqishëm pavarësinë e Kosovës dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim, ajo që po bisedohet nuk është statusi i vendit por marrëdhënia që do të kenë dy fqinjët me njëri tjetrin. Besojmë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta tejkalojnë dialogun dhe të integrohen në BE pasi janë pjesë e tij ekonomikisht, historikisht dhe kulturalisht. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë por vendimet i merr Kosova dhe Serbia.”Advertisement
Përfaqësuesit specialë për dialogun pritet të japin një përfundim mbi takimet e ardhshme në nivel ekspertësh, pas konsultimeve që do të zhvillojnë edhe në Beograd.