
Masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në Kosovë mund të zgjaten përtej 13 shtatorit. Paralajmërimi vjen nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili theksoi se situata epidemiologjike në vend vazhdon të jetë e rëndë.
“Më 13 shtator skadon afati i përcaktuar për masa. Sipas situatës momentale nuk pritet të ketë lehtësim të masave, por natyrisht do të ketë një përfundim pas takimit me komitetin. S’pritet lehtësim i masave. S’do të ketë lirim të masave në asnjë mënyrë derisa kemi situatë të brishtë”, tha Vitia.
Advertisement
Ministri i Shëndetësisë nuk ka përjashtuar injektimin e dozës së tretë për grupet më të rrezikuara.
“Do të kemi në konsideratë edhe administrimin e dozës së tretë, sipas rekomandimeve të fundit që na ka ardhur nga IKSHPK, kurdo që shihet e domosdoshme. Sidomos kjo vlen për grupet e ndjeshme të popullatës.”
Advertisement
I pyetur për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale, që janë caktuar të mbahen më 17 tetor, ministri Vitia u përgjigj:
“Ky është vendim që merret nga rekomandimet nga ekspertët tanë nga IKSHPK-ja por jo vetëm dhe çdo rekomandim i tyre do të diskutohet dhe respektohet.”
Advertisement
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë hodhi shortin për renditjen e partive politike në fletëvotimet.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka numrin 144, Partia Demokratike e Kosovës 177, Lidhja Demokratike 160 dhe Aleanca për Ardhmërinë numrin 121.