
Legjitimiteti i deputetëve të Kosovës është vënë në diskutim pas vendimit të gjykatës Kushtetuese mbi çështjen e deputetit Etem Arifi, i dënuar me një vit e tre muaj burg për korrupsion.
Veçanërisht në pikëpyetje është statusi i kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe disa deputetëve të tjerë të cilët në vitin 2018 u dënuan me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e kuvendit.
Drejtori ekzekutiv në organizatën Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë për Vizion Plus se për deputetët nuk ka dallim forma e vendimit: kjo do të thotë se Albin Kurti dhe të tjerët mund të penalizohen.
Miftaraj e konsideron vendimin më të fundit të Gjykatës si vendosjen e një standardi të ri nga i cili pritet të preken më shumë se 300 zyrtarë shtetërorë në vend.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi pranon se kjo çështje do të shqyrtohet në vijim.
Por, sipas Lëvizjes Vetëvendosje vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të pamundësojë kandidimin në zgjedhje të kreut të partisë, Albin Kurti dhe anëtares së kryesisë, Albulena Haxhiu, pasi dënimet me kusht nuk kanë efekte juridike.