
Presidenti serb Alexandër Vuçiç ka siguruar mandatin e dytë në krye të shtetit, duke grumbulluar më shumë se 60% të votave që në raundin e parë.
Mes tetë kandidatëve, i dyti u radhit Zdravko Ponos me 17 përqind të votave. Në fjalimin e fitores, Vuçiç deklaroi se do të ruajë marrëdhëniet e mira me Rusinë por edhe neutralitetin ushtarak.
ALEKSANDER VUÇIÇ
PRESIDENT I SERBISE
Advertisement“Ne duhet të shikojmë se çfarë të bëjmë për naftën, negociatat për gazin janë në vijim. Dhe ajo që është e rëndësishme si për evropianët, ashtu edhe për rusët dhe amerikanët, ne do të vazhdojmë politikën e neutralitetit ushtarak. Gjendemi para sfidave të mëdha. Por më e rëndësishmja për Serbinë janë marrëdhëniet e mira me vendet fqinje dhe që rruga jonë europiane të vazhdojë më tej.”
Ndërkohë në parlament do të futen 12 lista zgjedhore, pesë prej tyre nga pakicat. Partia e Vuçiç, sipas rezultateve paraprake ka fituar 44% të votave, ndërsa aleanca opozitare që bashkoi partitë e majta dhe të djathta arriti vetëm 13% të votave.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës do të përfaqësohen në parlamentin serb me vetëm 1 deputet. “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”, i cili kryesohet nga Shaip Kamberi, ka grumbulluar rreth 0.3 % të votave.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të dënojë fytyrën e vërtetë të autoritarizmit të Serbisë, pasi rreth 6,000 shqiptarëve në Serbi i është mohuar e drejta për të votuar nga parregullsitë me sistemin e adresave të banimit.