
Ka përfunduar takimi i dytë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç, i mbajtur sot në Bruksel.
Ndërsa akuzoi Vuçiç për kryerjen e tre gjenocideve ndaj shqiptarëve, Kurti u shpreh se ka propozuar një marrëveshje me 6 pika, por sipas tij ajo u refuzua ende pa u lexuar.
“Ajo u refuzua ende pa u lexuar, kjo dëshmon për mosgatishmërinë e tyre për marrëveshje”, tha Kurti.
Nga ana tjetër, Vuçiç tha se Kurti është kthyer në shekullin e 19-të dhe nuk e di se si do të vazhdojë procesi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Mendova se ishte e pamundur të kisha një takim më të keq dhe sot u binda se ishte e mundur. Ne morëm propozime nga BE-ja që ishin harmonizuar me negociatorët tanë kryesorë. Serbia gjithashtu ra dakord plotësisht me atë që e propozoi BE-ja”, tha Vuçiç.