
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias vizitoi këtë të enjte Ankaranë, ku zhvilloi takime zyrtare me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan dhe homologun e tij Mevlut Çavusoglu.
Pas takimit, ministrat e Jashtëm të Turqisë dhe Greqisë u përplasën hapur në një konferencë të përbashkët shtypi. Dendias paralajmeroi Turqinë se shkeljet e sovranitetit grek do të përballeshin me sanksione. Por komentet e tij u cilësuan si të papranueshme nga Çavusoglu.
Ministri i Greqisë kritikoi Ankaranë për dërgimin e përsëritur të avionëve mbi territorin grek, por homologu i tij i mohoi akuzat.
Tensionet mes dy vendeve filluan verën e kaluar kur Turqia dërgoi një anije eksplorimesh në ujërat e diskutueshme të Mesdheut.
Por Ankaraja tërhoqi anijen dhe dy vendet rinisën bisedimet mbi mosmarrëveshjet mes tyre pas një ndërprerje pesë-vjeçare.