
Prishtina dhe Beogradi kanë pranuar që kryenegociatorët e secilës palë të takohen javën e ardhshme në Bruksel për të diskutuar reciprocitetin e targave dhe tensionet që pasuan vendimin e qeverisë së Kosovës. Lajmin e bëri të ditur shefi i politikës së jashtme në Bashkimin Europian, Josep Borrell pas një bisede telefonike me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
JOSEP BORRELL
SHEF I POLITIKES SE JASHTME, BE
Advertisement“Serbia dhe Kosova duhet të de-përshkallëzojnë pa kushte situatën në terren, duke tërhequr menjëherë njësitë speciale të policisë dhe duke çmontuar postblloqet. Çdo provokim i mëtejshëm ose veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara janë të papranueshme. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja, vazhdon të jetë platforma e vetme për të adresuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura midis palëve, përfshirë ato që lidhen me lirinë e lëvizjes dhe targat.”
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së atlantikut të veriut, Jens Stoltenberg gjithashtu u bëri thirrje palëve që t’i kthehen dialogut.
JENS STOLTENBERG
SEKRETAR I PERGJITHSHEM, NATO
“Kam biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç lidhur me nevojën për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Është jetësore që Prishtina dhe Beogradi të tregojnë përmbajtje dhe t’i kthehen dialogut. Mandati i misionit të NATO-s, KFOR, mbetet që të sigurohet ambient i sigurt dhe liri e lëvizjes për të gjithë.”
Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde ka bërë thirrje që vendet të gjejnë zgjidhje përmes dialogut.
Në reagime të mëhershme, sulmet e një dite më parë në veri të Kosovës u dënuan nga misioni i organizatës për siguri e bashkëpunim në Evropë, si dhe nga bashkësia ndërkombëtare.