
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar të hënën se ka nisur puna për rritjen e pagës minimale.
Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Kurti ka thënë se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka përgatitur projektligjin, i cili së shpejti do të dalë në konsultime publike.
“Për vite të tëra, punëtorët e sektorit privat janë lënë anash. Me qeverisjen tonë, kjo ndryshon. Atyre do t’ua sigurojmë pragun e të hyrave që u mundëson një jetë të dinjitetshme”, ka shkruar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se në koordinim me Këshillin Ekonomiko-Social, së shpejti do të propozohet edhe niveli i pagës minimale. Me Ligjin e Punës në Kosovë, ky Këshill propozon vlerën e pagës minimale në fund të çdo viti kalendarik, çka më pas kalon për miratim te Qeveria.
Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar nga viti 2011.