
Shtetet e Bashkuara vendosën zgjerimin e sanksioneve ndaj anëtarit serb të Presidencës së Bosnje – Hercegovinës, Milorad Dodik , për aktivitete korruptive si dhe për kërcënime të vazhdueshme ndaj stabilitetit të vendit. Në një deklaratë, Departamenti Amerikan i Thesarit bëri të ditur se ka vendosur sanksione edhe ndaj Televizionit “Alternativa” nga Banja Lluka, që ndërlidhet me familjen e Dodikut.
Udhëheqësi serb, sipas zyrtarëve amerikanë, ka përdorur pozicionin e tij për përfitime personale nëpërmjet ryshfeteve, dhe formave të tjera të korrupsionit.
DEPARTAMENTI AMERIKAN I THESARIT
“Dodik ka minuar institucionet e Bosnje-Hercegovinë, duke bërë thirrje për marrjen e kompetencave shtetërore dhe duke vënë në lëvizje krijimin e institucioneve paralele në entitetin Republika Srpska të Bosnje-Hercegovinës. Retorika e tij përçarëse etno-nacionaliste, pasqyron përpjekjet e tij për të çuar përpara këto synime politike dhe për të shkëputur vëmendjen nga aktivitetet e tij korruptive. Të marra së bashku, këto veprime kërcënojnë stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës dhe minojnë Marrëveshjet e Paqes së Dejtonit.”
Sanksionet nënkuptojnë se të gjitha pronat që Dodik i ka në SHBA bllokohen dhe duhet të raportohen në Zyrën përkatëse. Po ashtu, personave të sanksionuar u ndalohen të gjitha transaksionet me shtetasit amerikanë.
Më herët gjatë ditës, dodik deklaroi se ishte në pritje të sanksioneve.
“Këto janë sanksionet e tyre, nuk janë tonat. Unë nuk kam ndërmend të aplikoj për vizë për Amerikë, edhe nëse do të mi heqin sanksionet nesër. Por ajo që nuk mund të imagjinoja ishte se një vend, ministrat do të mirëpresin sanksione për qytetarët e tyre.”
Advertisement
Edhe në janar të vitit 2017, Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara kishte vendosur sanksione kundër Dodik per aktivitete që pengonin zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit.