
Mijëra turistë që qëndronin në hotelet në Kiotari të Rodosit, në Greqi, janë evakuuar si pasojë e zjarreve që kanë përfshirë zonën.
Lëvizja e mijëra njerëzve u bë me kontributin e vullnetarëve, tregtarëve, punëtorëve si dhe efektivëve të policisë, portit dhe ushtarakëve që u thirrën për të kryer operacionin, raportojnë mediat vendase.
“Ata morën gratë dhe fëmijët fillimisht,” tha turistja britanike Jane Plomgren, e cila po qëndronte në “Lindos Imperial” dhe u largua nga plazhi ngjitur me hotelin me ndihmën e punëtorëve në një objekt sportiv ujor ngjitur.
Ajo thekson se super marketet dhe restorantet u kanë dhënë ujë dhe ushqim falas turistëve të evakuuar.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve ka tre fronte kryesore aktive në Rodos. Si pasojë e flakëve është shkrumbuar edhe një hotel në zonë.
Greqia prej disa ditësh është përfshirë nga flakët masive, të cilat shpesh herë kanë rrezikuar dhe zonat e banuara, duke detyruar banorët të evakuohen.